Misioni i Administratës Tatimore është mbledhja e të ardhurave tatimore, përmes procedurave të thjeshta, transparente dhe efikase, duke garantuar zbatimin e drejtë dhe të njëtrajtshëm të legjislacionit tatimor, në funksion të financimit të buxhetit të shtetit.
Për përmbushjen e këtij misioni, Administrata Tatimore mbështet qytetarët dhe bizneset përmes shërbimeve cilësore, informacionit të qartë dhe asistencës së vazhdueshme, duke lehtësuar përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore.
Në zbatim të përgjegjësive të saj ligjore, Administrata Tatimore monitoron dhe vlerëson përmbushjen e detyrimeve tatimore, si dhe ndërmerr masat e parashikuara nga legjislacioni në rastet e shkeljeve, duke garantuar trajtim të drejtë, të paanshëm dhe të barabartë për çdo tatimpagues.
Administrata Tatimore kontribuon gjithashtu në hartimin dhe përmirësimin e politikave tatimore, përmes analizave, raportimit periodik dhe ofrimit të ekspertizës profesionale, në mbështetje të vendimmarrjes së institucioneve përgjegjëse.
Vizioni ynë është që Administrata Tatimore shqiptare të jetë një institucion modern, profesional dhe i besueshëm, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të administrimit tatimor, i orientuar drejt shërbimeve cilësore, transparencës dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Vlerat tona janë themeli i një administrimi tatimor të drejtë, transparent dhe profesional. Ato forcojnë besimin dhe mbështetjen e komunitetit të tatimpaguesve, duke udhëhequr mënyrën se si përmbushim përgjegjësitë tona institucionale.
Ne forcojmë besimin e komunitetit të tatimpaguesve përmes rritjes së profesionalizmit, transparencës dhe reagimit ndaj shqetësimeve të tyre. Angazhohemi për trajtim të drejtë, të barabartë dhe të ndershëm, duke ruajtur standarde të larta të integritetit moral dhe duke nxitur një kulturë respekti të ndërsjellë.
Ne zbatojmë legjislacionin në përputhje me standardet e etikës profesionale dhe parimin e tolerancës zero ndaj korrupsionit. Përmes një administrimi të drejtë, të paanshëm dhe të përgjegjshëm, synojmë të garantojmë siguri dhe besim për çdo tatimpagues.
Ne mbështetemi te tatimpaguesit, profesionistët e fushës së financave dhe tatimeve, si dhe ndërmjetësit e tjerë të zbatimit të ligjit, të cilët veprojnë me përgjegjshmëri dhe korrektësi. Përmes konsultimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm, nxisim përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore dhe forcimin e marrëdhënies së besimit të ndërsjellë.
Ne garantojmë transparencë në raportimin e veprimtarisë sonë dhe vlerësojmë mendimet e publikut për çështjet që lidhen me menaxhimin e riskut. Dëgjojmë dhe reagojmë ndaj sugjerimeve dhe shqetësimeve të tatimpaguesve, duke synuar përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve, rritjen e njohurive mbi detyrimet ligjore dhe uljen e kostove administrative si për bizneset, ashtu edhe për Administratën Tatimore.
Drejtor i Përgjithshëm i DPT-së
Ilir Binaj është lindur në Durres në 23 Shkurt 1976. Prej muajit Tetor 2024, z. Binaj mban detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.
Përpara kësaj detyre Z. Binaj ka pasur një eksperiencë të gjatë në fushën e auditimit dhe taksave ku për më shumë se 15 vite ka mbajtur pozicione si Drejtues në kompani të ndryshme ndërkombëtare.
Z. Binaj është i Çertifikuar si Auditues Publik në Kaliforni (CPA), si Kontabilist i Çertifikuar Global i Menaxhimit (CGMA) në Mbretërinë e Bashkuar, dhe si Auditues Ligjor në Shqipëri.
Studimet e larta z. Binaj i kreu në Universitetin e Tiranës, Fakultetin Ekonomisë, në degën Financë në vitin 2002, ndërsa studimet Master i kreu në “Business Administration” në Universitetin e Dallas Baptist, SHBA në vitin 2009.
Gjithashtu Z. Binaj zotëron një Diplomë Master Profesional për Kontabilitet dhe Taksa nga Universiteti i Teksasit.
Z. Binaj është anëtar i Institutit Amerikan të Kontabilistit Publik të Certifikuar (AICPA) i Certifikuar për shërbime të zbulimit të mashtrimit financiar dhe vlerësimit të bizneseve.
Administrata Tatimore (AT) paraqet Raportin Vjetor për Vitin Fiskal 2025, i cili ofron një vlerësim të performancës dhe tregon se si po i përdorim burimet që na janë besuar për t’i shërbyer tatimpaguesve.
Për të mbështetur progresin e ekonomisë shqiptare dhe udhëtimin tonë drejt integrimit në BE, fokusi ynë për vitin 2025 u përqendrua në katër prioritete kryesore, të cilat bazohen në objektivat tona të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, në përputhje me kërkesat e anëtarësimit në BE dhe rekomandimet e FMN-së.
Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian kërkon një Administratë Tatimore të gatshme, jo vetëm nga ana teknike, por edhe institucionale dhe ligjore. Në këtë kuadër, AT po ndërmerr hapa konkretë për të harmonizuar legjislacionin tatimor vendas me acquis të BE-së në kuadër të Kapitullit 16, duke shkëmbyer eksperiencat më të mira me administratat tatimore homologe dhe duke përmbushur detyrimet raportuese në kuadër të Planit të Përmbushjes.
Qëllimi ynë është të krijojmë një përvojë dixhitale sa më të thjeshtë për tatimpaguesit. Kjo përfshin një zgjerim të vazhdueshëm të shërbimeve tona e-Albania dhe e-Tax për tatimpaguesit, të cilët mund t’i përfitojnë këto shërbime në mënyrë efikase dhe të sigurt, si dhe përmirësimin e udhëzimeve dhe materialeve informuese. Ndërsa shërbimet dixhitale janë prioritet, nivelet tona të shërbimit për vitin 2025 dëshmuan angazhimin tonë për të ofruar shërbime të personalizuara përmes telefonit dhe sy më sy për çdo tatimpagues që ka nevojë ose preferon këtë mënyrë komunikimi.
Administrata Tatimore po përdor inteligjencën artificiale dhe analiza të avancuara për të identifikuar me saktësi më të madhe sektorët me risk të lartë të mospërputhshmërisë dhe evazionit fiskal. Duke modernizuar sistemet e informacionit dhe duke përdorur të dhënat e përfituara nga platformat dixhitale, AT ka mundësi për të zbuluar deklarimet e pasakta me lehtësi. Falë kësaj qasjeje të bazuar në analizë të thelluar dhe të dhëna, inspektorët tatimorë mund të përqendrojnë punën e tyre ndaj sektorëve me vlera të larta të shmangies tatimore.
Mbrojtja e të dhënave konfidenciale të tatimpaguesve është themelore. Ne po forcojmë vazhdimisht sistemet tona të sigurisë dhe po zbatojmë protokolle më rigoroze të shkëmbimit të informacionit për të siguruar që të dhënat e tatimpaguesve të jenë sa më të mbrojtura.
Administrata Tatimore është në një moment transformimi. Ne po automatizojmë operacionet tona, duke përdorur teknologji të reja dhe duke nxitur një kulturë efikase dhe llogaridhënie që na përgatit për integrimin në BE. Vazhdojmë të investojmë në burimet tona njerëzore për t’i shërbyer më mirë qytetarëve shqiptarë në një mjedis dixhital gjithnjë në ndryshim.
Rezultatet e kësaj qasjeje janë të qarta: në vitin 2025, AT mblodhi më shumë se 4.7 miliardë euro në të ardhura (11.8% më shumë se viti i mëparshëm), dhe kreu rimbursime të TVSH-së me vlerë rreth 262 milionë euro (13% më shumë se viti i mëparshëm). Këto shifra pasqyrojnë jo vetëm forcën e ekonomisë shqiptare, por edhe aftësinë dhe përkushtimin e punonjësve tanë në përmbushjen e përgjegjësive të tyre ligjore.
Kjo qasje u demonstrua edhe në sezonin e fundit të dorëzimit të deklaratave për vitin 2025, që përfundoi më 31 mars 2026, ku 320,000 deklarata të tatimit mbi të ardhurat personale dhe të korporatave u dorëzuan sipas kërkesave të ligjit të tatimit mbi të ardhurat, duke rezultuar në një nga sezonet më të suksesshme ndër vite në drejtim të edukimit dhe informimit të tatimpaguesve, shërbimeve, mbështetjes teknike dhe mbledhjes së të ardhurave. Për herë të parë, u zbatua para-plotësimi për deklaratat e tatimit mbi të ardhurat personale, që kurseu mijëra orë për tatimpaguesit.
Këto nuk janë thjesht statistika, ato përfaqësojnë mijëra tatimpagues që morën asistencë të shpejtë dhe efikase pa frustrimin e vonesave të gjata. Kanë mbetur vetëm pak procese në letër dhe ne po marrim hapa të rëndësishëm për të eliminuar plotësisht këtë barrë për ne dhe për tatimpaguesit. Nëpërmjet automatizimit dhe ristrukturimit të proceseve jemi të fokusar në dhënien e një shërbimi më efikas dhe modern.
Jam i nderuar që drejtoj këtë Institucion dhe jam i bindur se po ndërtojmë një Administratë Tatimore për të cilën çdo qytetar mund t’i besojë se do të përmbush misionin e saj.
Me respekt
Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve
Administrata Tatimore Qëndrore bazuar në Ligjin nr.9920 datë 19.05.2008 “Për Proçedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, përbëhet nga:
Administrata Tatimore është institucion qendror, në varësi të Ministrit të Financave. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është autoriteti tatimor qendror i vetëm në Republikën e Shqipërisë, që zbaton dhe administron tatimet kombëtare, pagesat publike dhe mbledhjen e kontributeve.
Drejtoria Rajonale Tatimore varet nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve.