Fermeri
Fermeri, është prodhues bujqësor, i vetëpunësuar, që zhvillon aktivitetin me krahun e vet të punës dhe me mjetet e punës që disponon, në veprimtarinë e prodhimit bujqësor, blegtorale, frutikulturë, vreshtari, pemëtari, pyjor, peshkimit, etj.
Fermerët të cilët shesin prodhimet e tyre tek sipërmarrësit (tregtarë), janë të detyruar të regjistrohen dhe të pajisen me certifikatën e NIPT-it.
Cikli i jetës
Regjistrimi
Regjistrimi i fermerit bëhet në Administratën Tatimore, në njërën nga mënyrat si më poshtë:
- pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore në juridiksionin e së cilës ndodhet vendushtrimi i aktiviteteti të tij,
- nëpërmjet portalit e-albania, sipas linkut: https://e-albania.al/ServiceDetails/13938
Dokumentet që kërkohen për regjistrimin pranë DRT-së:
- Formulari i aplikimin për regjistrim i plotësuar dhe i nënshkruar nga fermeri (modeli me link)
- Fotokopje të Kartës së Identitetit ose të Pasaportës të fermerit
- Vërtetimin origjinal lëshuar prej Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, në bazë të të cilit vërtetohet aktiviteti prodhues bujqësor i fermerit.
- Adresa e banimit dhe kontaktet të fermerit
- Vendi i ushtrimit të veprimtarisë prodhuese bujqësore;
- Fusha e veprimtarisë prodhuese bujqësore, ku nëse fermeri, kryen disa veprimtari prodhuese bujqësore, atëherë citohen disa duke filluar nga ajo, që mban peshën kryesore;
- Specimeni i nënshkrimit (firmës) të fermerit.
Ndryshimi i të dhënave
Ndryshimi i të dhënave nënkupton çdo modifikim të informacionit, si ndryshimi i të dhënave të identifikimit, të kontaktit, veprimtarisë, adresës, etj..
Ndryshimi i të dhënave bëhet me kërkesë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore ku është i regjistruar.
Çregjistrimi
Çregjistrimi është procedura përmes së cilës fermeri çregjistrohet zyrtarisht nga administrata tatimore.
Ky çregjistrim kryhet me kërkesë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore ku është i regjistruar.
Detyrime tatimore
Fermeri nuk ka detyrimin të regjistrohet për asnjërën nga përgjegjësitë tatimore.
Kujdes!
Nëse qarkullimi vjetor i fermerit tejkalon kufirin prej 10,000,000 (dhjetë milionë) lekësh, fermeri nuk mund të vazhdojë të jetë i regjistruar në administratën tatimore si fermer.
Në këtë rast, fermeri duhet të çregjistrohet nga organi tatimor si fermer dhe të regjistrohet në QKB nëpërmjet portalit e-albania si një tatimpagues i ri, duke marrë numër të ri identifikimi (NIPT).
Pas regjistrimit në QKB, tatimpaguesi i nënshtrohet regjimit tatimor dhe detyrimeve që zbatohen për kategorinë e re të regjistrimit.
