Aplikim online për përfitimin e kompensimit në masën 10% të vlerës së autofaturave për fermerët
KOMPENSIMI I FERMERËVE PËRMES AUTOFATURËS
Prodhuesit bujqësorë përfitojnë kompensim në masën 10% të vlerës së produkteve dhe shërbimeve bujqësore të furnizuara gjatë një periudhe gjashtëmujore. Skema synon të krijojë lehtësi për fermerët, për të cilët përfshirja në regjimin normal të TVSH-së paraqet vështirësi.
Përfitues të kësaj skeme janë prodhuesit bujqësorë që zhvillojnë aktivitet në kuadrin e një sipërmarrjeje bujqësore, pyjore ose peshkimi dhe furnizojnë një person të tatueshëm me produkte apo shërbime bujqësore që burojnë nga veprimtaria e tyre prodhuese, ndërkohë që blerësi nuk përfiton nga skema e kompensimit në Republikën e Shqipërisë.
Prodhuesi bujqësor përfiton nga skema e kompensimit kur plotëson kushtet e mëposhtme:
- qarkullimi vjetor nuk tejkalon kufirin minimal të regjistrimit për TVSH;
- produktet ose shërbimet e furnizuara janë rezultat i veprimtarisë së tij bujqësore;
- mallrat dhe shërbimet u furnizohen personave të tatueshëm që nuk përfitojnë nga skema e kompensimit në Republikën e Shqipërisë;
- është pajisur me numër identifikimi (NIPT) nga Administrata Tatimore, pa pasur detyrim për deklarim periodik të TVSH-së.
- faturat e marra nga blerësi, mbi bazën e së cilave kërkohet kompensimi janë të fiskalizuara dhe regjistruara në bazën e të dhënave të administratës tatimore qendrore.
Blerësi i produkteve bujqësore duhet të jetë person i tatueshëm, i regjistruar për TVSH-në, dhe të ushtrojë aktivitet si grumbullues dhe/ose përpunues i produkteve bujqësore apo agroturizëm i certifikuar, sipas legjislacionit në fuqi për turizmin, si dhe të mos përfitojë nga skema e kompensimit. Kodet ekonomike të tatimpaguesve blerës përcaktohen në udhëzimin përkatës të Ministrisë së Financave.
Për çdo furnizim të produkteve ose shërbimeve bujqësore, blerësi lëshon një faturë tatimore (autofaturë) të fiskalizuar për prodhuesin bujqësor, në të cilën pasqyrohen të dhënat përkatëse të furnizimit dhe NIPT-i i fermerit. Vlera e faturës përfaqëson vlerën e furnizimit të paguar nga blerësi për llogari të prodhuesit bujqësor dhe shërben si bazë për përllogaritjen e kompensimit.
Norma e kompensimit prej 10% aplikohet mbi çmimin pa TVSH të produkteve dhe shërbimeve bujqësore të furnizuara nga prodhuesi bujqësor. Shuma e kompensimit përllogaritet mbi vlerën totale të produkteve dhe shërbimeve bujqësore të furnizuara gjatë një periudhe gjashtëmujore.
Aplikimi për kompensim kryhet online përmes sistemit e-Filing, sipas udhëzuesit të publikuar nga Administrata Tatimore: https://www.tatime.gov.al/administrata-tatimore-publikon-udhezuesin-sqarues-per-kompensimin-e-fermereve
Kërkesa për kompensim paraqitet brenda datës 31 dhjetor për furhttps://www.tatime.gov.al/d/8/45/0/1975/administrata-tatimore-publikon-udhezuesin-sqaruenizimet e kryera gjatë periudhës janar–qershor të vitit përkatës dhe brenda datës 30 qershor të vitit pasardhës për furnizimet e kryera gjatë periudhës korrik–dhjetor të vitit paraardhës.
Pas paraqitjes së kërkesës për kompensim, Administrata Tatimore shqyrton dokumentacionin e dorëzuar dhe verifikon nëse fermeri plotëson kushtet ligjore për përfitimin nga skema e kompensimit. Në rast të konstatimit të mangësive në dokumentacion, fermeri njoftohet menjëherë për plotësimin e tyre brenda një afati 10-ditor.
Nëse nga verifikimet rezulton se janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore, Administrata Tatimore kryen pagesën e kompensimit brenda 30 ditëve, direkt në llogarinë bankare të fermerit. Shuma që do të kompensohet është rezultat i shumëzimit të normës së kompensimit me vlerën totale të furnizimit të produkteve bujqësore, të kryer në periudhën përkatëse.
